Kuvendi i Kosovës këtë javë do të nisë sesionin vjeshtor të punës së tij. Sipas burimeve brenda Kryesisë së Kuvendit, të mërkurën pritet të mbahet mbledhja e kryesisë, në të cilën do të caktohet seanca e radhës. Por, sipas këtij burimi, në këtë seancë nuk do të jetë pikë e rendit të ditës projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi.

“Të mërkurën pritet të mblidhet kryesia e Kuvendit për ta ftuar seancën e parë plenare për sesionin vjeshtor, por në rend dite nuk do të jetë demarkacioni”, ka thënë ky burim, sipas të cilit arsye është se Qeveria ende nuk e ka riproceduar atë në Kuvend, meqë ka filluar disa takime me banorët e komunave të Dukagjinit.

“Kjo pasi Qeveria e ka tërhequr në seancën e fundit nga rendi i ditës dhe tani kryeministri Isa Mustafa po kërkon konsensus para se ta riprocedojë në Kuvend. Në këtë kuadër Mustafa ka filluar takimet tashmë me përfaqësuesit e komunave të rajonit të Dukagjinit që udhëhiqen edhe nga partitë opozitare”, ka shtuar më tutje burimi brenda Kryesisë.

Gjatë kësaj kohe, kreu i ekzekutivit, Isa Mustafa, synon takime edhe me krerët e partive opozitare për të diskutuar rreth mundësisë së arritjes së një konsensusi për ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi.